Tension në senacën ku u dënuan përjetë shqiptari dhe greku që vranë studenten 23-vjeçare

Gjykata e Athinës ka dënuar me burg të përjetshëm shqiptarin Aleksandër Luca dhe shokun e tij grek Manolis Koukouras për vrasjen dhe përdhunimin e studentes greke Eleni Topaloudi, në Nëntor të 2018.

Por ndërsa seanca maratonë vijonte, pala mbrojtëse e 23-vjeçarit grek kërkonte masa lehtësuese duke pretenduar se Koukouras është penduar dhe do të dëshironte që studentja 23-vjeçare të ishte gjallë.

Ishte kjo deklaratë dhe kërkesë që ngjalli zemërim e dhimbje tek prindërit e Elenit, duke thënë se e bija e tyre është e vdekur dhe askush nuk mund ta kthejë në jetë dhe se të dy autorët meritojnë dënim maksimal.

Mes lotësh e britmash, nëna e vajzës iu drejtua palës mbrojtëse, duke i thënë: Fëmija im nuk kthehet më, çfarë masash lehtësuese?! Ai qen më përdhunoi dhe më vrau vajzën…

“Jeta ime u shkatërrua. Meshkuj, meshkuj… të jeni më besë, mos u bëni si ata”, dëgjohet të thotë ajo.

Ndërsa nëna qante dhe kërkonte drejtësi, një grup personash të mbledhur jashtë dyerve të gjykatës e duartrokisnin dhe mbanin në duar parulla me mbishkrimin: Eleni, ne nuk harrojmë vrasjen e femrave…

Në një deklaratë të shkurtër, babai i viktimës u shpreh se priste dënim maksimal për dy autorët e vrasjes barbare të vajzës së tij, duke bërë thirrje që të mos bëhen lojëra politike në kurriz të saj. /tvklan.al