Ambra Petali 10 vjeç humbi jetën të dielën pasi u përplas në derën e shtëpisë nga një makinë në zonën e Alliasit në Tiranë.

Saltjana Haruni, përfaqësuesja ligjore e familjes së vajzës që humbi jetën, ka treguar për emisionin Opinion në Tv Klan dinamikën e aksidentit bazuar në dëshmitë e fëmijëve të tjerë që kanë qenë në lagje.

Saltjana Haruni: Unë jam banore e asaj lagjes për më shumë se 20 vitesh. Nuk kam qenë e pranishme momenti kur ka ndodhur, por punë sekondash kam qenë aty. Mua më është dashur të marr dëshmitë e para sepse kanë qenë 4 fëmijë të tjerë në banesë që kanë qenë vetëm. Më është dashur t’i mbledh fëmijët t’i fus në shtëpi. Më kanë thënë në lagjen tonë, të gjithë fëmijët blejnë pambuk sheqeri. Djali i vogël i familjes ka dalë në krahun tjetër dhe ka pritur motrën e tij Ambrën për të kaluar rrugë. Gjyshja e cila ndodhej në shtëpi ka qenë te dera për t’i dhënë lekët. Ambra ka qenë te dera. Makina është larguar nga vendi i aksidentit. Fëmijët më thonë që ishte një makinë e zezë, fuoristradë, ai xhaxhi që shtypi motrën ishte edhe pak i shëndoshë, ishte shumë shpejt.

Alban Guri, drejtuesi i mjetit që përplasi për vdekje 10-vjeçaren, është ndaluar nga policia dhe gjykata vendosi ndaj tij masën e sigurisë arrest në burg. /tvklan.al