Kompania me kapital shqiptar e fluturimeve “Air Albania” ka arritur të marrë certifikatat dhe ka regjistruar numrin e flamurit shqiptar pranë Autoritetit të Aviacionit Civil në Shqipëri.

Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë tha gjatë një takimi me studentë të ekselencës se certifikimi i kompanisë së parë ajrore me kapital shtetëror është bërë konfrom standardeve europiane.

“Air Albania”, e cila është certifikuar, ka marrë edhe numrin me flamurin shqiptar të regjistrimit, duke përmbyllur të gjitha proceset certifikuese konform standardeve evropiane.”

Tashmë pritet që “Air Albania” të kalojë disa procedura certifikimi edhe nga autoritet europiane për të nisur fluturimin me flamurin shqiptar. Duke folur për strategjinë e zhvillimit të hapësirave ajrore, Balluku u tha studentëve se qeveria po punon për të çuar përpara projektin e Aeroportit të Vlorës.

“Aviacioni Civil ka muaj që punon, unë jam e përfshirë në atë projekt gjithashtu, jo vetëm nga pozicioni i ri, por edhe më parë dhe sot, akoma më shumë e kam dhe nxitje për ta çuar përpara, projektin e aeroportit internacional të Vlorës.”

10 studentë ekselentë u përzgjodhën për të qenë pjesë e administratës së kompanisë së navigimit ajror shqiptar Albcontrol, nga 300 që aplikuan. Ata së shpejti do të nisin trajnimin në Madrid.

Tv Klan