Kompeticioni i tretë për klube do të vendosë fituesin në Tiranë

Air Albania do të presë finalen e Conference League të vitit 2022. Bëhet fjalë për turneun më të ri për klubet europiane. Është një ngjarje historike për Shqipërinë të presë finalet e një kompeticioni kontinental. Stadiumi Air Albania i paraqitur si kandidaturë nga presidenti i FSHF Armand Duka në mbledhjen e komitetit ekzekutiv ishte një nga propozimet kryesore për këtë ngjarje të madhe sportive. Veç Shqipërisë konkurronte Irlanda e Veriut dhe Finlanda.

Pas vendimit, Presidenti Duka falënderoi të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv për mbështetjen që po i japin Shqipërisë dhe në veçanti futbollit shqiptar. Një event i këtyre përmasave është një mundësi fantastike promovimi për Shqipërinë turistike, për futbollin shqiptar, që do të jetë në qendër të vëmendjes për disa ditë me radhë.

Konferenca e Ligës është kompeticioni i tretë i organizuar nga Uefa pas Champions dhe Europa League. Për rrjedhojë është edhe turneu i nivelit të tretë ku do të marrin pjesë skuadra nga ligat e vendeve të fundit të renditjes së klubeve europiane.

Air Albania Stadium u hap 17 Nëntorin e vitit të kaluar me takimin Shqipëri – Francë.

Tv Klan