“Bazat amerikane u goditën nga “dora e Zotit”

Në Teheran është zhvilluar manifestimi më i madh kundër Shteteve të Bashkuara që pas vrasjes së komandantit të Gardës Revolucionare, Kasem Solejmani. Parullat “Vdekje e Amerikës” dhe shkelja e flamurit të Shteteve të Bashkuara ishin format me të cilat protestuesit shprehën urrejtjen ndaj Washington-it, pas tensioneve më të fundit mes dy vendeve që shkaktoi kjo vrasje.

Protesta u zhvillua pas faljes së madhe të së premtes që për të parën herë pas 8 vitesh u drejtua nga lideri suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Kamenei. Përpara mijëra të pranishmëve, ai mbajti edhe një fjalim për tensionet më të fundit, ku e konsideroi vendin e tij si “dorën e Zotit” që goditi bazat amerikane.

“Një komb ka forcë shpirtërore për t’i dhënë një shuplakë të tillë një fuqie ngacmuese botërore. Ky është tregues i dorës së Zotit, ndaj dhe ajo ditë duhet të konsiderohet si dita e Zotit”.

Kamenei e quajti martir Kasem Solejmanin dhe trupa humanitare, njësitë Kuds që drejtoheshin prej tij. Lideri suprem tha se me vrasjen e Solejmanit, amerikanët shfaqën natyrën e tyre terroriste, ndërsa akuzoi fuqitë perëndimore se po përdorin tragjedinë e avionit të goditur gabimisht nga ushtria iraniane, për të dobësuar unitetin e Iranit pas protestave antiqeveritare që shpërthyen në Teheran, si pasojë e kësaj tragjedie ku humbën jetën 176 pasagjerë.

Tv Klan