“Të dua” ishin fjalët e fundit që një grua i tha burrit të saj përpara se ky i fundit ta vriste me një shufër hekuri e më pas ta groposte në oborrin e shtëpisë. Fjalët e fundit të nënës së dy fëmijëve, Fahima Yusuf, u bënë publike teksa vrasësi i saj, Ahmed Seedat, u dënua me 23 vjet burg nga një gjykatë në Australi.

Gjatë seancës gjyqësore u zbulua se Ahmed e sulmoi bashkëshorten gjatë kohës që ajo flinte, ndërkohë që dy fëmijët e tyre, 2 dhe 5 vjeç, flinin në dhomën tjetër.

37-vjeçari e kishte planifikuar vrasjen, pasi para krimit kishte kërkuar online sesi të varronte dikë. Ai donte të kishte një lidhje me motrën e bashkëshortes dhe prej vitesh paguante një prostitutë. Ai kishte 8 vjet martesë me Fahiman dhe ata jetonin në Perth të Australisë.

32-vjeçarja, me origjinë nga Britania, u zgjua pas goditjes së parë, por duke qenë e plagosur, bashkëshorti arriti që ta nënshtronte duke i marrë jetën më 31 Gusht të vitit të shkuar.

Pasi e varrosi në një gropë të hapur në oborrin e shtëpisë së çifti, për të fshehur mungesën e saj ai gënjeu, duke u thënë miqve dhe fqinjëve se gruaja kishte shkuar në Britani për t’iu nënshtruar një operacioni të syve. Ndërsa motrës së saj i tha se ajo e kishte braktisur.

Megjithatë, gënjeshtrat e tij u zbuluan vetëm 5 ditë më pas dhe në Shtator, Ahmed u akuzua për vrasje. Ai u shpall fajtor në Janar. Vetë 37-vjeçari i tha policisë teksa po e vriste, bashkëshortja i tha “të dua”. Por pavarësisht kësaj, ai nuk ndaloi dhe i mori jetën 32-vjeçares.

Policia ra në gjurmët e Ahmed pasi zbuloi kërkimet që ai kishte bërë në internet disa javë para vrasjes, ku kërkonte mënyra për të varrosur një mace, si të digjte një trup, apo si të varroste dikë për së gjalli.

Hetuesit thanë se Seedat dhe kunata e tij ishin miq, por bazuar në mesazhet që ai i dërgonte asaj, ai dyshohet se dëshironte që të kishte një lidhje romantike me të, pas vdekjes së bashkëshortes./tvklan.al