Christie dhe Donald janë një çift jo shumë i zakonshëm. Christie është amerikane, mësuese dhe vjen nga një martesë e mëparshme prej të cilës ka tre fëmijë. Donaldi është nga Skrapari dhe i vetmi fëmijë që ka është një vajzë e cila ka ardhur në jetë prej pak muajsh nga kurorëzimi me Christie.
Një dashuri që ka kaluar paragjykimet dhe pengesat dhe që tregohet sot në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, dedikuar Shën Valentinit. Në këtë pikë të historisë, Donaldi tregon të gjitha pyetjet që i janë bërë lidhur me marrëdhënien e tij.
Donald: Ka ekzistuar në fillim duke qenë se ishte një lidhje pak e veçantë duke qenë se nuk ishte tradicionale që gruaja duhet të jetë më e vogël se burri, aq më tepër që ishin dhe fëmijët. Në fillim rrethi shoqëror i imi, familja nuk e kanë kuptuar lidhjen tonë se nuk e njihnin Christie, nuk e dinin çfarë njeriu ishte dhe duke qenë se nuk e njihnin ishin edhe hamendësimet, ishin këto pse-të në fillim. Me kalimin e kohës, duke parë ata që ne vazhdonim lidhjen tonë, duheshim dhe kishim respekt për njëri-tjetrin dhekishim ndërmend që të vazhdonim jetën bashkë, e panë ata që ne e kishim më serioze lidhjen tonë, nuk ishte thjesht një lidhje aventurë nga këto që kalon për një kohë të shkurtër dhe pastaj largohesh. Filluan u bënë më mirëkuptues edhe rrethi familjar, shoqëria, halla, xhaxhai.
Agida Koçi: Dhe si i përgjigjeshit ju? Cila ishte përgjigjja juaj?
Katerina Trungu: Në rastin e pse-ve, ato pse-të e para?
Donald: Po nuk është se iu jepja shumë argumente. Unë jam tip që gjërat që mendoj i vendos vetë për veten time, nuk është se marr shumë këshilla për të vendosur gjërat e mia dhe nuk e kam patur shumë problem këtë pjesën që isha i lëkundur. Nuk isha i lëkundur në mendime kështu që në njëfarë mënyre nuk është se ndikonin indikatorët e jashtëm në mendimet që kisha unë për Christie./tvklan.al