Akademia Bullgare e Shkencave: Maqedonishtja, dialekt i gjuhës sonë

Akademia Bullgare e Shkencave: Maqedonishtja, dialekt i gjuhës sonë

18:48 12/12/2019

Apeli i Zaev: Të sillemi si evropianë, të tejkalojmë këtë çështje

Akademia Bullgare e Shkencave ndihet e ofenduar nga faktet që Akademia e Shkencave të Maqedonisë i ka dorëzuar për të provuar se gjuha maqedonase është gjuhë në vete. Ata konsiderojnë se gjuha maqedonase është dialekt i asaj bullgare dhe thonë që kjo mund edhe të provohet.

“Qëndrimi i Akademisë Bullgare të Shkencave është se qëndrimi i ASHAM i shprehur në dokumentin për të cilin po diskutohet është i pasaktë dhe papranueshëm, në të njëjtën kohë edhe i dëmton marrëdhëniet mes dy shteteve fqinjë. Në këtë drejtim, qëndrimi i ABSH është i qartë dhe mbetet i pandryshueshëm – Gjuha zyrtare në Maqedoninë e Veriut është dialekt rajonal i gjuhës bullgare”.

Dokumentin e ka parë edhe kryetari i ASHAM, Taki Fiti, por ai është i përmbajtur në deklaratën e tij.  

“Ne i kemi parë të gjithë këto dokumente, unë mbrëmë edhe i studiova dhe ua dhashë kolegëve nga sektori përkatës që t’i studiojnë t’i shohin dhe të diskutojmë rreth kësaj çështje e më pas do të dalim me qëndrim të përbashkët”.

Anëtari i Komisionit për Revidim të Historisë, Aleksandar Litovski, thotë që ky nuk është provokimi i parë që bëhet nga ana bullgare. Ai madje thotë se ky është një nga provokimet më të vogla duke pasur parasysh deklaratën që e ka miratuar kuvendi bullgar, por megjithatë thotë që bisedimet duhet patjetër të vazhdojnë.

“Ne me bullgarët jemi miq dhe nuk kemi ku të shkojmë as ne e as ata, bisedimet patjetër të vazhdojnë, e për këtë çështje nuk duhet të ketë asnjë dilemë. Por që bisedimet të jenë të suksesshme në cilindo nivel, politika e ka patjetër ta kryej punën e vet, duhet të ndalojnë me deklaratat e ashpra dhe me provokimet që të mund të flasim në një atmosferë normale”.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe kryeministri, Zoran Zaev. Thotë që bisedimet duhet të vazhdojnë, dhe se metoda e tij e politikbërjes nuk është me kokëfortësi.

“Edhe një herë bëj apel deri tek ata… Nëse jemi evropian, nëse angazhohemi për demokracinë evropiane, për vlerat evropiane këtë çështje sa më shpejt që është e mundur ta tejkalojmë. Unë besoj që në periudhën që po vjen këtë çështje shumë shpejt do ta tejkalojmë”.

Kryeministri paralajmëroi reagim nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, por vetëm pasi ta lexojë reagimin nga ana bullgare, për shkak se nuk e kishte lexuar.

Tv Klan


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi