AKEP_NUMRATAKEP në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme ka kërkuar nga të gjithë operatorët celularë që në kuadrin e masave për shmangien dhe eleminimin e problematikës së krijuar kohët e fundit në rendin publik nga përdorimi i aparateve celulare në shpërthimet e telekomanduara, të bëjnë brenda datës 6 Mars 2014 regjistrimin individual të çdo numri telefoni celular privat dhe të institucioneve publike kur numri i tyre është mbi 20.

Për këtë qëllim i është kërkuar të katër operatorëve celularë AMC, Vodafone Albania Albtelecom, Eagle Mobile dhe PLUS Communications që duke filluar nga sot, datë 22 Shkurt 2014, të njoftojnë nëpërmjet një mesazhi SMS të unifikuar të gjithë ata pajtimtarë që rezultojnë nën një emër kur grupi i tyre kalon shifrën 20, paraqitjen pranë pikave të autorizuara për ri-regjistrimin e tyre individual.

Në rast të mos paraqitjes së pajtimtarit për ri-regjistrim, ai numër telefoni do të bllokohet deri në regjistrimin e tij.