Akrepat e orës kanë shkuar sot 60 minuta para duke shënuar kohën verore. Ndryshimi është bërë në orën 02:00 të mëngjesit kur akrepat lëvizën 60 minuta dhe shënuan orën 03:00.

Ndryshimi i orës verore bëhet të dielën e fundit të muajit Mars dhe do të qëndrojë e tillë deri të dielën e fundit të muajit Tetor, kur akrepat shkojnë 1 orë prapa. Ndryshimi i orës është vendosur me ligj nga Bashkimi Europian që prej vitit 1981.

Mirëpo, së fundmi në BE po diskutohet për të ndryshuar këtë ligj. Pak ditë më parë, Komisioni Europian vendosi që t’i jepet fund ndryshimit të orës dhe shtetet e BE duhet të vendosin nëse do të mbajnë orën dimërore apo orën verore. Afati për të përcaktuar këto ndryshime është viti 2021. /

tvklan.al