Programi “Jo Vetëm Modë”, në Tv Klan solli ditën e sotme intervistën me stilistin e njohur, Joni Peçi. Vitet e fundit, ai është fokusuar akoma dhe më tepër tek kostumet për burra, krahas fustaneve dhe veshjeve estravagante, përmes të cilave u bë i njohur si stilisti i preferuar i artistëve të klasit A të skenës shqiptare.

Dizanjet e veçanta dhe prerjet e përsosura të kostumeve e kanë kthyer Joni Peçin në markën e zgjedhur të djemve dhe burrave shqiptarë, të cilët kanë mundësinë të vishen plot elegancë dhe stil.

Por për t’u veshur mirë nuk mjafton vetëm të veshësh kostumin e duhur, po aq të rëndësishëm janë edhe aksesorët që kurrsesi nuk duhet të mungojnë.

Joni Peçi: Aksesorët janë një element shumë i mirë tek meshkujt. Janë elementë që një kostum nuk do dukej shumë bukur në rast se nuk do kishte këto gjëra që duken të vogla, këto elementë të vegjël, por që janë detaje shumë të rëndësishme që kompletojnë një kostum. Koshe e transformon komplet kostumin se e sjell në kohë. Në bazë të stinës, detaj tjetër është shumë i rëndësishëm, që kosheja është ai element që kaq i vogël siç është, e mund pamjen e kostumit. Që do të thotë që ti mund të veshësh të njëjtin kostum, por mjafton të ndryshosh koshetë, apo elementët, aksesorët, gravatën dhe kostumi në pamjen e parë duket se është krejtësisht tjetër.

Orinda Huta: Sa i përket kosheve, a shiten shumë?

Joni Peçi: Shiten shumë, ka shumë kërkesa për koshetë. Papjoni dhe gravata janë një element po aq i rëndësishëm.

Orinda Huta: A mund të kombinohen me njëra-tjetrën?

Joni Peçi: Zakonisht kosheja është një element që shpeshherë nuk kërkon kombinim për sa i përket gravatës apo papionit. Janë dy elmentë që mund të vendosen fare mirë dhe të ndara. Por në momnetin që përdorim një koshe që është pak e guximshme, atëherë kjo koshe kërkon një gravatë që është pak më neutro, që mund të përshtaten me njëra-tjetrën.

Orinda Huta: Për sa i përket papionëve në këtë sezon si vijnë?

Joni Peçi: Me ngjyra, jo fosforeshente, por me ngjyra që godasin. Papjonët me dizajn janë shumë të preferuar.

Orinda Huta: Ndërkohë këpucët?

Joni Peçi: Këpucët këtë sezon janë të gjitha të dekoruara me elementë dekorativë. Shpeshherë ndodh që meshkujt, sidomos në Shqipëri, pas një ore të caktuar, çohen, kërcejnë dhe vjen vetë situata që në një moment e heq xhaketën, por për t’u dukur në të njëjtën linjë dhe për t’u dukur sërish i kuruar, këpuca është një element shumë i rëndësishëm sepse është e dekoruar.

Orinda Huta: Rripi një tjetër aksesor i rëndësishëm në dukje?

Joni Peçi: Rripi është një aksesor shumë i rëndësishëm, njerëzit veshin një kostum të bukur, një këmishë të bukur apo një palë këpucë të bukura dhe thonë: Hë se rripi nuk duket, por nuk është aspak kështu./tvklan.al