“Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka bllokuar të gjitha shërbimet që merren në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe kërkojnë vulë e nënshkrim elektronik. Qytetarët dhe bizneset ankohen për kostot që ka shtuar kjo problematikë”, raporton gazetarja e Tv Klan, Valbona Lilaj.
Bllokimi i shërbimeve në zyrat e Kadastrës raportohen të kënë shtrirje në të gjithë vendin. Prej disa ditësh, qytetarë e biznese nuk kanë akses në shërbime që kanë të bëjnë me transaksionet për shitblerjen e pronave apo deklarimet e librave të shitjes nga biznesi.
Asnjë nga zyrat e Kadastrës në Tiranë dhe në rrethe nuk arrijnë të kryejnë veprime, duke u sjellë probleme e kosto të mëdha qytetarëve e bizneseve.
E kontaktuar nga televizioni Klan, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë të Informacionit pranoi se shërbimet që kërkojnë nënshkrim elektronik nuk funksionojnë. Sipas saj, sistemi ka rënë për shkak se numri i dokumenteve që po trajtohen është i lartë.
“Ngarkesa dhe fluksi i lartë i dokumenteve, të cilat nënshkruhen/vulosen nga infrastruktura në kuadër të shërbimeve tërësisht online të ofruara për qytetarët dhe bizneset, ka shkaktuar një mosfunksionim të pjesshëm në shërbimet e nënshkrimeve elektronike. Sigurojmë qytetarët dhe bizneset se stafi ynë teknik po punon për të optimizuar dhe shtuar resurset e kësaj infrastrukture, jo vetëm për rikthimin në normalitet, por edhe për të parandaluar përsëritjen në vazhdim”, thuhet në reagimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë të Informacionit.
Në reagimin e saj, Agjencia Kombëtare e Shoqërise se Informacionit sqaron se problemi me nenshkrimin elektronik nuk ka prekur sistemin e fiskalizimit.
“Dëshirojmë të bëjmë me dije se problematikat e nënshkrimit elektronik, të cilat po adresohen aktualisht, nuk ndikojnë në mirëfunksionimin e sistemit të fiskalizimit për të gjithë subjektet tatimpaguese, të cilët janë pajisur me certifikat elektronike për përdorimin e këtij shërbimi”.
Sic shihet nga reagimi i AKSHI-t, shqetësim kryesor i Agjencisë është funksionimi i sistemit të fiskalizimit, që do të thotë sistemi i mbledhjes së të ardhurave nga bizneset për shtetin, dhe jo shërbimi ndaj qytetarëve, kryesisht në Kadastër dhe shërbime të tjera të ngjashme, për të cilët AKSHI nuk përcakton as ndonjë datë kur do të jetë në punë sistemi i nënshkrimeve elektronike.
Prej 3 Korrikut, Kadastra ofron shërbime vetëm online, si një përpjekje e qeverisë për të eliminuar të gjitha hallkat e mundshme të korrupsionit.
Institucioni proceson çdo vit mbi 1.2 milionë kërkesa për shërbim dhe mosfunksionimi i nënshkrimit elektronik ka bllokuar mijëra prej tyre.
Tv Klan