Piloti i Formula 2, Anthoine Hubert ka humbur jetën në një aksident tragjik të ndodhur gjatë garave me makina në Grand Prix të Belgjikës.

22-vjeçari humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me barrierat anësore, e më pas u godit nga makina tjetër e pilotit amerikan Juan Manuel Correa, që në atë moment ishte me 170 km/h.

FIA, organi më i lartë i motorsportit, njoftoi se piloti francez u dërgua me urgjencë në spital, por ndërroi jetë në orën 18:35 të së shtunës. Kurse piloti tjetër, Juan Manuel Correa, ndodhet i shtruar në spital në gjendje të stabilizuar. Ai ka pësuar fraktura në dy këmbët dhe ka dëmtim të vogël në palcën kurrizore, raporton BBC.

Gara në pistën e Belgjikës u ndalua dhe pas disa minutash u anulua tërësisht. Formula 2 ka njoftuar se gara e së dielës është anuluar në shenjë respekti.

Ngushëllime për vdekjen e pilotit 22-vjeçar kanë shprehur edhe pilotë të tjerë të garave me makina, si ish-piloti i Formula 1 Fernando Alonso apo Lewis Hamilton. /tvklan.al