Arrestohet shoferi, drejtonte mjetin pa patentë

2 vajza vetëm 17 vjeç humbën jetën në një aksident tragjik që ndodhi rreth orës 23:30 të së shtunës ndërsa 3 adoleshentë të tjerë u plagosën. Ngjarja ndodhi në rrugën e vjetër të aksit Tiranë-Elbasan pranë Bërzhitës.

Viktimat janë Denada Tarja dhe Suada Serani. Të plagosur kanë mbetur drejtuesi 18-vjeçar i automjetit dhe dy 14-vjeçarë që ndodheshin pasagjerë. Siç duket edhe nga këto foto makina me të cilën udhëtonin të rinjtë është shkatërruar.

Automjeti që drejtohej nga 18-vjeçari Francesk Shaba ka dalë nga rruga për shkak të lagështirës dhe është përplasur me një shtyllë dhe disa pemë. Policia njoftoi se ka arrestuar të riun që drejtonte automjetin “Alfa Romeo” për shkak se nuk ka qenë i pajisur me leje drejtimi ndërsa kishte konsumuar edhe alkool.

Nga testimi i bërë në frymëmarrje rezultoi 0.17 miligram për litër. Adoleshentët ktheheshin nga festa e ditëlindjes e njërit prej 14-vjeçarëve. Aktualisht të plagosurit ndodhen në spitalin e Traumës.

Burime nga spitali i Traumës bëjnë të ditur se 18 vjeçari, që ishte njeherësh drejtuesi i automjetit, dhe 2 pasagjeret 14 vjeçare janë në gjendje të stabilizuar. Por për shkak të shembjeve që kanë pësuar në kokë dhe në trup vijojnë të jenë në kontroll mjekësor.

Mbi 18-vjeçarin Francesk Shaba rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e rregullave të  qarkullimit rrugor “ dhe “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Tv Klan