Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në aksin rrugor Elbasan – Peqin pranë fshatit Paulesh rreth orës 16:30. Sipas korrenspondentit të Klan News në Elbasan, Fatos Salliu, ka humbur jetën një vajzë 8-vjeçare.
Ndërsa 5 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga përplasja e dy mjeteve. Bëhet me dije se një nga automjetet është me targa të Maqedonisë së Veriut.
Sipas policisë, drejtuesja e automjetit “Volkswagen Golf” Trëndelina B. nga Maqedonia e Veriut është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. H., banues në Kavajë.
Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë vajza 8 vjeçe, pasagjere në automjetin “Volkswagen” të drejtueses Trëndelina B. Kjo e fundit ka mbetur e plagosur së bashku me vajzën e saj 11-vjeçare.
Ndërsa nga automjeti tjetër u plagosën shoferi A.H. dhe dy pasagjerët që udhëtonin me të.
Të gjithë të plagosurit u dërguan në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor shkoi në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
/tvklan.al