Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur në në aksident të rëndë që ndodhi mbrëmjen e sotme tek kthesa e Arbanës në zonën e Vaqarrit në Tiranë.

Mësohet se një automjet tip Fiat me targa Tr 3971 J përplasi për vdekje një këmbësor, ndërsa më pas makina humbi kontrollin dhe doli nga rruga. Nga aksidenti mbeti i plagosur drejtuesi i mjetit Gert Dorzi 24 vjeç dhe pasagjeri me iniciale A.H., të cilët janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Policia thotë se viktima është me iniciale A.M. 52  vjeç.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie dhe forcat e zjarrfikësve, që ndihmuan në nxjerrjen e të plagosurvenga makina.

Shkaqet e aksidentit të rëndë nuk janë ende të qarta.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Me datë 07.01.2018, rreth orës 20:55, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se tek vendi i quajtur “Kthesa e Arbanës”, ka një aksident.

Menjëher në vendgjarje kanë mbëritur shërbimet e Policisë dhe Ambulanca,  ku nga verifikimet paraprake rezulton se:

Në vendin e quajtur  “Kthesa e Arbanës”, mjeti me targë TR 3971 J, me drejtues shtetasin Gert Dorzi, 24 vjeç, dhe pasagjer shtetasin A.H., ka humbur kontrollin e mjetit, duke aksidentuar një këmbësor A.M., 52 vjeç, ku si pasojë ka ndërruar jetë këmbësori A.M.

Ndërkohë të dëmtuar janë dhe shtetasit G.D., dhe A.H., të cilët u transportuan në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme për përcaktimin e shkakut të aksidenit. /

tvklan.al