Mjeti tip Benz përplaset me motorin

Dy djem të rinj 22-vjeçarë kanë mbetur viktimë e një aksidenti automobilistik në rrugën Lushnje-Divjakë. Igli Çuni dhe Justin Baba, ishin duke udhëtuar me një motoçikletë në momentin e përplasjes me një mjet fuoristradë tip Mercedes Benz.

Përplasja e dy mjeteve ka qenë ballore dhe shumë e fortë, ç’ka solli vdekjen e menjëhershme të dy të rinjve. Një prej viktimave ka përfunduar poshtë urës, ndërsa tjetri ka mbetur në rrugë. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:10 minuta dhe sipas policisë dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara të drejtuesit të motorit dhe parakalimi i gabuar i tyre.

Djemtë kanë tentuar të bëjnë parakalimin mbi urë, duke shtuar shpejtësinë e motoçikletës, por nuk kanë arritur dot. Të dy kanë ndërruar jetë në vend. Policia ka shoqëruar në polici drejtuesin e fuoristradës Arsen Sina, 51 vjeç, për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Dy viktimat nuk kishin skafandër në kokë, që mund t’i kishte mbrojtur.

Tv Klan