Autoambulanca përplaset me një mjet tjetër në Rinas

Një person humbi jetën, ndërsa tre të tjerë u plagosën rëndë gjatë një aksidenti rrugor që ndodhi mesnatën e së dielës në rrugën e Rinasit, vetëm 1 kilometër nga Aeroporti Ndërkombëtar. Në aksident u përfshi një autoambulancë e spitalit të Krujës dhe një tjetër automjet tip Volkswagen.

“Autoambulanca po vinte nga qyteti i Fushë Krujës në drejtim të Tiranës, ndërsa mjeti tip  Volkswagen nga Qafa e Kasharit në drejtim të Fushë – Krujës. Policia dyshon se ishte parakalimi i gabuar i autoambulancës që solli përplasjen me mjetin përballë, e për pasojë humbi jetën pacientja 42 vjeçare që po transportohej drejt Tiranës”.

Si pasojë e përplasjes së fortë pacientja 42-vjeçare, Anila Berdaku, ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa u plagosën rëndë infermieri Arjan Balloku 30 vjeç dhe Marsida Bërdaku 32 vjeçe që ndodheshin në autoambulancë. 

I dëmtuar mbeti edhe 22-vjeçari Yrmelind Gashi i cili udhëtonte si pasagjer në automjetin tjetër të drejtuar nga shtetasi Antigon Abazi. Të gjithë të plagosurit u dërguan në Spitalin e Traumës e ndodhen nën kujdesin intensive të mjekëve.

Ndërkohë policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje, dhe pas komunikimit paraprak drejtuesi i autoambulancës Ilir Shullazi do të ndiqet në gjendje arresti, ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër Antigon Abazi në gjendje të lirë.

Tv Klan