Një aksident  me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur mesditën e sotme në Durrës, rreth orës 16:47.

Burime për “tvklan.al” bëjnë me dije se një automjet ka përplasur një biçikletë në zonën e Spitallës, ndërsa pas plagëve të marra, ka humbur jetën drejtuesi i biçikletës.

Viktima mësohet se është Ermal Harizi, 36 vjeç. Familjarë të viktimës konfirmuan për “tvklan.al” aksidentin e ndodhur.

Sipas informacioneve, mësohet se drejtuesi i mjetit është larguar nga vendngjarja, ndërsa në këtë zonë ka disa kamera sigurie të bizneseve, të cilat kanë regjistruar momentin e përplasjes.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dyshohet se drejtuesi i makinës që shkaktoi aksidentin ka qenë në gjendje të dehur. Sipas tyre, makina ndaloi rreth 20 metra larg vendit ku ndodhi përplasja. Dëshmitarët tregojnë se shoferi doli nga mjeti dhe pasi pa çfarë kishte ndodhur, u largua në drejtim të paditur.

Zyrtarisht policia thotë se makina e cila është përfshirë në këtë aksident, është një mjet tip “Ford Focus”, por shton se uniformat blu nuk kanë mundur të identifikojnë drejtuesin. /tvklan.al