Dy të rinj humbin jetën në një aksident tragjik në aksin Shkodër – Lezhë në vendin e quajtur “Ura e Dajçit”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 1 e 40 minuta pas mesnatës kur automjeti tip benz që drejtohej nga 32-vjeçari Gentian Toma është përplasur me një kamion që drejtohej nga një 19-vjeçar.

Mësohet se përplasja e fortë i ka marrë jetën në vend Tomës dhe kushëririt të tij Robert Ejlli 25 vjec i cili ishte pasagjer me të në makinë. Të dy të rinjtë nga fshati Mabë e Lezhës po ktheheshin në banesë.

Burime nga policia sqaruan se ishte makina e të rinjve që goditi nga pas kamionin, i cili gjithashtu ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal. Për fat drejtuesi i tij nuk ka marrë lëndime të rënda.

Edhe një ditë më pas shenjat e aksidentit të rëndë janë të dukshme. Makinat janë larguar nga vendi i ngjarjes, por aty kanë mbetur pjesë të tyre dhe sinjalistika e dëmtuar. Një grup ekspertësh është duke punuar për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Paraprakisht ata shkaku kryesor është shpejtësia tej normave të lejuara ndërsa shtojnë se ky aks gjatë natës është i vështirë për qarkullim pasi fushëpamja është e kufizuar.

Tv Klan