Një aksident i rëndë ka ndodhur në zonën e Bllokut në kryeqytet këtë të martë. Në aksident janë përfshirë dy automjete, një tip Volvo dhe një Ford Focus.

Mësohet se automjeti ngjyrë gri me targa angleze tip Volvo drejtohej nga një polic i qarkullimit rrugor.

Mësohet se pas përplasjes së dy makinave, një prej mjeteve ka përfunduar mbi trotuar duke u futur në një dyqan në zonën e ish-Bllokut.

Siç duket nga pamjet e dërguara në rubrikën “Kallëzo” në tvklan.al, makina mbi trotuar ka thyer edhe vetratën e dyqanit. Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur drejtuesit e mjeteve.

Paraprakisht bëhet me dije se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë e makinës Volvo që drejtohej nga polici i qarkullimit.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimin për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat.

Siç duket nga pamjet, përplasja ka sjellë edhe kuriozitetin e të pranishmëve në vendngjarje, të cilët kundër rregullave të reja ndaj koronavirusit janë grumbulluar pranë vendit të aksidentit. /tvklan.al