Makinat përplasin motorin, dy të lënduar në gjendje të rëndë dërgohen në spital

Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në afërsi të zonës së Porcelanit, ku një automjet është përplasur me një motor me të cilin udhëtonin dy persona.

Makina e tipit ‘Volksëagen Tuaran’ me të cilën po udhëtonte vetëm drejtuesi i mjetit, është përplasur me një motor me të cilin po udhëtonin dy të rinj. Në aksident është përfshirë dhe një mjet i tretë. Nga përplasja mësohet se janë dëmtuar drejtuesi i motorit dhe pasagjeri.

Ndihma e parë mjekësore iu dha nga bluzat e bardha në vendin e ngjarjes, ndërsa më pas ata u dërguan në spital për trajtim më të specializuar, pasi dëmtimet më të mëdha i ka marrë pasagjeri i motorit, i cili sipas policisë nuk posedonte kaskën mbrojtëse.

Përplasja e dy makinave dhe motorit është regjistruar pak minuta para se të hynte ora policore, ku qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve përshpejtonin për të mbërritur në destinacion. Pavarësisht kësaj nuk munguan dhe qytetarët kuriozë të cilët u mblodhën pranë vendit të aksidentit.

Aksidenti i rëndë, ka shkaktuar bllokim të qarkullimit të automjeteve, të cilët u deshën të prisnin disa minuta për të kaluar.

Grupi hetimor sipas bluve ka nisur punën për sqarimin e rrethanave të plota të këtij aksidenti.

Klan News