Këto janë pamjet pak momente pas aksidentit tragjik në Fushë Prezë, ku një makinë tip Mercedez pasi u përplas me një betoniere mori flakë. Për pasojë humbën jetën këta 4 të rinj që shihni në foto, 2 prej të cilëve vëllezër.
Ndërsa këto janë momentet kur forcat zjarrfikëse përpiqen të nxjerrin nga makina trupat e pajetë të të rinjve.
Shoferi i makinës ishte 24-vjeçari, Enejd Laçi ndërsa pasagjer vëllai i tij, kushëriri dhe një miku i tyre. Para aksidentit ata ishin në aeroportin Rinasit, ku kishin marrë një nga viktimat, Erildin 20-vjeçar që sapo ishte kthyer nga Gjermania.
“Automjeti tip Mercedes Benz me të cilin udhëtonin mbrëmjen e së mërkurës 4 viktimat po lëvizte me sens drejtimi nga Vora për në Fushë Krujë kur u përplas me betonieren, e më pas shpërtheu në flakë. Shenjat e aksidentit fatal janë ende prezente në rrugë”, raporton gazetari Merin Maçi.
Shkak i përfshirjes së saj nga flakët dyshohet të jetë bërë fakti se makina ku udhëtonin 4 të rinjtë ishte me impiant gazi.
Ajo ka goditur nga pas betonieren e cila sapo kishte dalë në rrugën kryesore nga pika e prodhimit të betonit pak metra më tutje dhe është ndalur si pasojë e një defekti teknik.
Pas aksidentit të rëndë që ndodhi pak para mesnatës së të mërkurës, shoferi i betonieres është larguar nga vendngjarja për t’u vetëdorëzuar pak orë më vonë në polici.
Ai është 24-vjeçari, Aleksandër Krrashi, tashmë i vënë në pranga për veprat penale largim nga vendi i aksidentit si dhe për drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt pa leje drejtimi, pasi nga verifikimet ka rezultuar se i riu nuk ka patur patentën e duhur.
I arrestuar për ngjarjen është dhe kushëriri i shoferit të betonieres, Valentin Krrashi që dyshohet se ka përkahur autorin pas ngjarje si dhe ka kryer veprime që pengojnë zbardhjen e aksidentit.
Gjithashtu policia ka vënë në pranga menaxherin e kompanisë së betonit, Danjel Koxha për veprat penale Shkelja e Rregullave të qarkullimit, Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë, Punësim i paligjshëm, pasi i riu Krrashi mësohet se punonte në të zezë si dhe Fshehja e të ardhurave.
Ndërsa është shpallur në kërkim pronari i firmës së betoni, Sajmir Hoxha.
Tv Klan