Një aksident fatal ka ndodhur pas mesnate në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në aksin Fier – Lushnje. Në vendin e quajtur “Kryqëzimi i shoferit”, makina tip Mercedes-Benz që drejtohej nga 22-vjeçari me iniciale M.Sh. u përplas me dy makina të tjera, një tjetër Benz që drejtohej nga 31-vjeçari B.Sh dhe një automjet tip Jaguar me drejtues 33-vjeçarin me iniciale G.Q.

Nga përplasja humbi jetën 18-vjeçari me iniciale K.Sh., i cili ndodhej pasagjer në makinën tip “Mercedes-Benz” që u përplas me dy makina të tjera. Dyshohet se adoleshenti ka qenë pa rrip dhe ka humbur jetën menjëherë.

Mësohet se shoferët e dy makinave Benz, M.Sh. 22 vjeç dhe B.Sh. 31 vjeç janë kushërinj me njëri-tjetrin. Nga ky aksident kanë mbetur të plagosur edhe shoferët M.Sh. dhe G.Q., ky i fundit drejtues i automjetit të tretë.

Në vendngjarje shkoi grupi hetimor i cili po punon për të zbardhur dinamikën e plotë të këtij aksidenti. /tvklan.al