18 persona kanë humbur jetën në një aksident tragjik me helikopter, në veriperëndim të Siberisë. Autoritetet ruse thanë se MI-8 u rrëzua rreth orës 10:20, me orën lokale, rreth 180 kilometra nga qyteti i Igarka, në territorin e Krasnoyarsk.

Të gjithë personat që ndodheshin në bord, 3 anëtarë të ekuipazhit dhe 15 pasagjerët, humbën jetën.

Sipas asaj që shkruan BBC, helikopteri mësohet se po dërgonte punonjës në një rafineri nafte. Autoritetet kanë nisur hetimet për ngjarjen tragjike.

Nga të dhënat e para dyshohet se helikat e helikopterit prekën një ngarkesë që transportohej nga një tjetër helikopter, vetëm pak çaste pasi ishte ngritur në ajër.

Ministria ruse e Transportit, e cituar nga agjencia e lajmeve AFP, tha se helikopteri i dytë u ul pa problem dhe se ngjarja ndodhi në një kohë kur kushtet e motit ishin normale.

/tvklan.al