Ekspertët sugjerojnë që policia të kryejë kontrolle më të imtësishme ndaj shoferëve të rinj

Shpejtësia tej normave të lejuara, u bë shkak që 19-vjeçari Jehon Breçani të humbë kontrollin e mjetit dhe të përfundojë në trotuar e për pasojë të plagosë rëndë 24-vjeçaren Xhesina Gega. Ky përfundim është arritur nga ekspertiza paraprake e punonjësve të policisë rrugore, ndërsa drejtuesit të mjetit i është komunikuar masa e arrestit.

Aksidentet rrugore me pasoja të rënda brenda zonave të banuara, sipas ekspertëve mund të parandalohen duke kontrolluar shoferët e rinj.

“Duke mos zbatuar detyrat e tyre që kanë për të parandaluar aksidentet nëpërmjet shërbimeve të tyre, në mënyrën e duhur, ata merren me trajtimin e aksidenteve, nuk merren me shkakun, nuk merren me background-in e aksidentit në mënyrë që të planifikojnë shërbimet e tyre në funksion të këtyre pikave të zeza dhe të këtyre zonave ku janë vunerabël këmbësorët, apo dhe mundësia e ndodhjes së aksidenteve është e madhe”, është shprehur Artur Sulçe.

Sipas ekspertit Artur Sulçe, puna e Policisë Rrugore nuk duhet të fokusohet vetem tek ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve për parkimet e gabuara.

“Po e pe aksidentin si burim fitimi, asnjëherë nuk ke për të arritur asnjë gjë, përveçse do jetë një statistikë e rëndomtë që rastësia do e sjellë që një vit ka më pak dhe një vit ka më shumë”, është shprehur ai.

Aksidenti i rëndë ku mbeti e plagosur 24-vjeçarja Gega u regjistrua në rrugën Xhanfize Keko. E reja ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje të stabilizuar, por ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën. Ndërkohë një 80-vjeçar këmbësor humbi jetën pasi u përplas nga një furgon i transportit të mallrave.

Klan News