“Familjarët e të afërm të 33-vjeçarit i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti tragjik së bashku me bashkëshorten janë rikthyer sot në vendin e ngjarjes, ndërkohë ata kanë apeluar ndaj autoriteteve marrjen e masave për këtë aks rrugor pasi shpeshherë është bërë burim i madh aksidentesh”, raporton gazetari i Klan News, Martin Marku.

Dhimbja është e madhe pasi humbën të afërmit e tyre. 2 persona ndërruan jetë në një aksident ndaj kërkojnë marrjen e masave nga autoritetet. Sipas tyre ngjarje të tilla janë të shpeshta

“Kjo është një rrugë që i duhet kushtuar vëmendje sepse shumica e aksidenteve që kanë ndodhur kanë qenë me pasoja të mëdhaja. Duhet të vendosin dorë sepse po shkojmë drejt fluksit veror dhe është e pashmangshme që një veprim i gabuar i një drejtuesi të mjetit të mos sjellë një pasojë të rëndë”, shprehet Sokol Zefi, xhaxhai i viktimës

Shqetësimin e shprehin edhe banorë të zonës. Sipas tyre drejtuesin e mjeteve lëvizin me shpejtësi tepër të lartë ndërsa situata është më problematike gjatë verës kur fluksi është më i lartë për shkak të sezonit turistik.

“Makinat ecin me 150, 100 dhe 180 në orë këtu. Policë nuk ka këtu”, shprehet një banor.

Aksidenti i rëndë ndodhi më 12 Shkurt kur një makinë tip Audi u përplas me një kamion. Paulin Zefi humbi jetën në vend ndërsa bashkëshortja e tij nuk mundi të mbijetonte pas disa orëve në spital. Në këtë ngjarje i lënduar mbeti edhe drejtuesi i mjetit të tonazhit të rëndë ndërsa iu komunikua arrestimi në kushtet spitalore.

Nga hetimet policor rezultoi se shkak është bërë shpejtësia e lartë dhe lagështira në rrugë.

Klan News