Në Korrik të gjithë drejtuesit do të kenë me vete dhe formularin e marrëveshjes

Duke nisur nga data 1 Korrik, të gjithë drejtuesit e automjeteve që përfshihen në aksidente me vlerë më të vogël se 30 mijë lekë të rinj, kanë mundësi që të zgjidhin me marrëveshje përgjegjësinë për dëmin dhe të kërkojnë dëmshpërblim te kompania e sigurimit pa përfshirë policinë.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përgatitur formularin “Raporti Evropian i Aksidenteve”, i cili duhet të lëshohet nga çdo shoqëri sigurimi së bashku me policën e sigurimit të automjetit, duke i hapur rrugë zgjidhjes së konfliktit me mirëkuptim dhe në kohë më të shkurtër.

Raporti duhet të nënshkruhet nga të dy drejtuesit e mjeteve që janë përfshirë në aksident, ku të përcaktohen rrethanat e ngjarjes, të fotografohen mjetet në momentet e aksidentit bashkë me dëmet e shkaktuara.

Më pas raporti duhet të dërëzohet pranë kompanisë së sigurimit bashkë me kërkesën për dëmshpërblim të palës së dëmtuar, të shoqëruar me dokumentet e automjeteve: leje qarkullimi, patenta dhe kopje të siguracioneve. Pas dorëzimit të kërkesës, shoqëria e sigurimit duhet që brenda 14 ditësh të kthejë përgjigje dhe të dëmshpërblejë dëmin.

Palët kanë të drejtë të thërrasin policinë në aksident, por mbi ta në këtë rast do të ketë ndëshkim me gjobë dhe heqje të pikëve nga leja e drejtimit për fajtorin e aksidentit. Modeli për zgjidhjen me mirëkuptim të aksidenteve të vogla zbatohet aktualisht në të gjithë vendet e Bashkimit Europian.

Tv Klan