Ministri Sandër Lleshaj zbuloi mbrëmjen e kësaj të hëne në “Opinion” masat që pritet të marrë policia me qëllim ndëshkimin e shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, si një mënyrë për të reduktuar numrin e lartë të aksidenteve në vend.

Lleshaj tha se projekti në fjalë parashikon vendosjen e sensorëve në të gjitha akset e Shqipërisë dhe vendosjen e targës dixhitale, e cila do të bëjë të pamundur ndërrimin e targës. Kjo tha Ministri është e vetmja gjë që mund të bëjë policia. Ajo që ngelet pastaj për t’u bërë nga e gjithë Shqipëria, është mbledhja mendjes.

Duke folur për numrin e lartë të aksidenteve në vend, Lleshaj u shpreh se krimineli më i madh sot në vend është shoferi. 

Sandër Lleshaj: Shifra e numrit të viktimave në Shqipëri, është një shifër e cila është në rënie, është e tmerrshme, por është në rënie. Është një situatë e cila ka 1 mijë faktorë pas saj. Policia e Shtetit në këtë rast ka vetëm një përgjegjësi, të mundohet të sensibilizojë opinionin publik, shkollat, të ndalojë ata të çmendur nëpër rrugët e vendit. Reagim ka dhe ka përditë. Polica ndëshkon 1500 veta në ditë në Shqipëri. Dhe aty ndalohen, ndëshkohen e merren patenta me 60-70 edhe gjatë një nate. Problemi këtu është problem edukate të munguar tonën. Rruga është vrasësi më i madh se krimi. Nga krimi ne na vriten 50 veta në vit, rruga na vret 5 fish, afërsisht. Pra krimineli më i madh janë shoferët tanë.

Blendi Fevziu: Shoferët që duhet t’i disiplinosh nëpërmjet ligjeve dhe rregullave. Nuk mund të vendosësh radarë zoti Ministër që të mos njohë më polici, çuni kujt është, goca e kujt është…

Sandër Lleshaj: Ajo që po them, ne me kapacitetet e policisë afërsisht kaq mund të kapet, se aq njerëz kemi. Ne kemi mbyllur projektin, i cili parashikon vendosjen e sensorëve në të gjitha akset e Shqipërisë, një kjo. E dyta, vendosjen e targës dixhitale, e cila do të bëjë të pamundur ndërrimin e targës, pra të ashtuquajturës sistemit me 3 targa. Dy targa të zakonshme dhe një brenda xhamit, e lexueshme elektronikisht me çip, e cila bën të pamundur që shoferi ta ndërrojë sepse nuk hiqet ajo brenda, stikeri i brendshëm nuk hiqet. Në këtë fushë e vetmja gjë që ne mund të bëjnë është kjo dhe do ta bëjmë këtë, pajisjen me sensorë dhe një sistem të qendërzuar i cili do të monitorojë dhe gjenerojë automatikisht gjobat për këdo në Shqipëri dhe ajo që ngelet pastaj për t’u bërë jo nga ne, por nga e gjithë Shqipëria, është mbledhja mendjes, sepse po lemë nam si shoqëri me këtë sjellje të pa përgjegjshme./tvklan.al