Aksidentet, ndihma e shpejtë me rëndësi




Aksidentet, ndihma e shpejtë me rëndësi

14:40 20/05/2022

Ekspertët: Duhet edukim i brezit të ri për dhënien e ndihmës

Edukimi për dhënien e ndihmës së shpejtë në një rast aksidenti mbetet shumë thelbësor si për të rriturit po ashtu dhe për më të vegjlit.

Për shkak të mungesës së njohurive se si duhet dhënë kjo ndihmë, Kryqi i Kuq Shqiptar së bashku me Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë e Transportit Rugor organizuan një ditë sensibilizuese me nxënës të shkollave.

Fëmijët patën mundësinë të shohin nga afër se si duhet ndërhyrë në rastet kur dikush ka nevojë për ndihmë dhe mbi të gjitha për t’i shpëtuar ata.

Ekspertët shprehen se edhe pas ndodhjes së një aksidenti automobilistik, personat që gjenden aty pranë duhet të dinë si të veprojnë që të ulin risqet.

“Ne shohim që shumica e aksidenteve ndodhin 5-6 makina bashkë sepse askush nuk sigurohet që të vendosë trekëndëshin e rrezikut. Dëshmitarët, familjarët, njerëzit që ndodhen aty mund të ndihmojë apo shpëtimi i një personi me helmetë në momentin që kemi një aksident me motoçikletë”.

Por a dinë shqiptarët të japin ndihmën e shpejtë?

“Ne i inkurajojmë të gjithë njerëzit që mos të ngelin me njohuritë e tyre bazike që kanë dëgjuar nga familjarët apo rrjetet e ndryshme por të afrohen të mësojnë të gjitha teknikat bazë të ndihmës së parë. Në javën e fundit, numri i lartë i aksidenteve rrugore na ka treguar që po të kishim qytetarë të përgjegjshëm që dinë ta japin ndihmën e parë, nuk do të kishim kaq shumë humbje jete”.

Nga Janari i këtij viti deri më 19 Maj janë shënuar 684 aksidente rrugore, prej tyre janë regjistruar 64 viktima, 81 të plagosur rëndë dhe 726 të plagosur më lehtë.

Klan News













Të ngjashme