Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar kushtet e kontratës së sigurimit për dëmtimet që mund të pësojnë zjarrfikësit gjatë aksidenteve në punë.

Në mbledhjen e datës 31 Gusht, u vendos që kontrata e sigurimit për zjarrfikësit mbulon ngjarjet aksidentale gjatë kryerjes së shërbimit operacional, ku përfshihet vdekja si rezultat i aksidentit, paaftësi e përhershme ose e përkohshme si rezultat i një aksidenti ose sëmundjeje gjatë shërbimit, si edhe shërbimet spitalore dhe mjekësore në spitalet publike në vend, ose jashtë vendit në rastet kur ato nuk ofrohen.

Kontrata e sigurimit për zjarrfikësit realizohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe tarifa e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e vogël se 0.5% e shumës së siguruar.

Dëmshpërblimi për zjarrfikësit e siguruar është në varësi të shkallës së dëmtimit apo sëmundjes dhe mund të arrijë deri në 5 milionë Lekë.  

Në kushtet e miratuara përfshihet edhe tabela e koeficientëve të përfitimit ndaj dëmtimeve trupore, ku përcaktohen rastet për përfitimin e pagueshëm në përqindje ndaj shumës së sigurimit. /tvklan.al