“Policia nuk ka patur një plan masash periodik”

Problematika e theksuar e aksidenteve rrugore, që ditët e fundit ka shënuar “bilanc lufte” përsa i përket numrit të viktimave, është diskutuar sonte në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Aksi drejt rrethrrotullimit të TEG-ut është një nga rrugët më problematike në kryeqytet, pasi në këtë zonë bëjnë gara me makina luksoze kryesisht shoferë të rinj.

I ftuar në studio, gazetari Spartak Koka thotë se policia nuk ka patur një plan masash periodik për këtë segment rrugor, ku vetëm disa ditë më parë viktima më e fundit në këtë aks ishte një 17-vjeçar, pasagjer në automjet.

Koka publikoi të dhënat e aksidenteve që kanë ndodhur në rrethrrotullimin e TEG-ut. Sipas këtyre shifrave, numërohen 7 viktima në 11 muaj nga aksidentet vetëm në këtë aks.

Viktimat janë Altion Agalliu 28 vjeç, Luan Duka 62 vjeç, Bardhok Biba 62 vjeç, Valentina Biba 62 vjeç, Florida B.Biba 22 vjeç, Bujar Marku 30 vjeç dhe Kristjan Vasili 17 vjeç.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit thotë se janë stacionuar patrulla 24 orëshe tek rrethrrotullimi i TEG-ut, ndërsa gazetari këmbëngul se kjo ka ndodhur vetëm pas aksidentit me vdekje dhe nuk ka patur më parë.

Gazetari Spartak Koka kritikoi edhe deklaratën që bëri ministri i Brendshëm në studion e “Opinion” më 11 Nëntor, kur tha se për aksidentet rrugore qytetarët “duhet të mbledhin mendjen e kokës”.

“Problemi është mos ketë plan masash 4-ditor, të ketë plan masash në atë aks rrugor. Dhe këtë planin e masave, se po më shkruan Policia e Shtetit dhe më thotë ‘ne kemi filluar nga Tetori dhe ditët e fundit kemi shërbim 14 orë’. Po 10 muajt e tjerë ku ishte policia? Në rast se ata nuk e duan jetën, ai 17-vjeçari nuk e do jetën, ai dretuesi shoku i viktimës nuk e do, duhet ne si vend të marrim masa. Se nuk mund të dalë ministri i Brendshëm këtu dhe të na thotë se cili është plani i masave që ‘shqiptarët të mbledhin mendjen e kokës’. Të gjithë vendet ku ne duam të aderojmë, kanë plan masash. Ato thonë ta ulim standardin nga 45 viktima për 1 milion banorë, ne e kemi 98-100 viktima për 1 milion banorë. Dyfishi! Ne s’kapim dot as standardin. Dhe mburremi se ulemi me 3 viktima”, u shpreh gazetari Spartak Koka. /tvklan.al