Sfida e përballimit të aksidenteve rrugore mbetet e njëjtë dhe e vlefshme për të gjithë botën, ndërsa për shqiptarët është shndërruar në një kërcënim për jetën në kohët e fundit. Numri i rasteve shqetësuese ka pësuar një rritje të konsiderueshme pasi në 5 muajt e fundit kanë humbur jetën 90 qytetarë, numërohen 547 aksidente, pra 40% më shumë se një vit më parë. Qarku me numrin më të lartë të tyre është Tirana ku numërohen 249 aksidente, nga të cilat kanë rezultuar 21 humbje jete.

“Eurostat” e rendit Shqipërinë si një ndër vendet me vdekshmëri të lartë për aksidentet rrugore, gati 60% më shumë se sa mesatarja evropiane. Rasti më i fundit tragjik është ai i familjes Gushi në aksin Fier-Vlorë, ku u shua një familje prej 4 anëtarësh për shkak të përplasjes me një veturë tjetër prej tejkalimit të shpejtësisë nga kjo e fundit.

Mosrespektimi i sinjalistikës rrugore, shpejtësia e lartë, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit janë disa nga shkaqet më të shpeshta të aksidenteve rrugore që kërcënojnë jetën e qytetarëve. Të ftuarit e puntatës së sotme në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Rashela Shehu, gazetare në TV Klan dhe Artur Sulçe, ekspert i sigurisë rrugore, trajtuan këtë temë si një problematikë kryesisht të sezonit të Verës kur situata është edhe më e rënduar.

Rudina Magjistari: Rashel, ka pasur shumë aksidente të raportuara këtë periudhë, apo jo? Ti ke pasur rast, ke shkuar në terren, ndoshta rast si i familjes Gushi? Çfarë mund të themi për të?

Rashel Shehu: Nuk është se të duhet të lëvizësh shumë jashtë Tiranës për t’u përballur me aksidente, mjafton një kalim qoftë edhe rastësor nëpër rrugët e Tiranës që u raportua të jetë edhe qarku me më shumë aksidente, të paktën të viteve të fundit, por edhe të pesë mujorit të parë dhe jemi përballur me skena nga më të ndryshmet që përveçse punës që na është dashur të raportojmë, ka qenë edhe ana njerëzore që na ka prekur shumë.

Për t’u ndalur te familja Gushi, është përjetuar si një zi kombëtare ajo ditë sepse mendoj që nuk ka pasur familje shqiptare që nuk e ka projektuar veten brenda asaj makine “Toyota” duke udhëtuar. Është tipike, një familje në emigrim që vjen këtu dhe kemi shumë familje të tilla emigrante ose drejtues që përballen me aksidente, ka qenë një përjetim shumë i fortë emocional.

Në njërin krah qëndron fakti tronditës si mbyllet një familje në konceptin shqiptar të institucionit të familjes, por nga ana tjetër kjo tragjedi ndodh për kapriçon e një të riu, që ndoshta është gjykuar edhe djali fort, për të cilin unë kam dëgjuar që tashmë edhe gjendja e tij psikologjike është goxha e rënduar, por më shumë se sa djali, kemi të bëjmë me një sistem të rrënuar vlerash dhe në momentin që ke një sistem vlerash të rrënuar, se jo më kot një 22-vjeçar ka atë makinë, atëherë kjo prodhoi shumë revoltë.

Por çfarë më revoltoi mua? Sepse ndërsa u përpoqa të shmang emocionalisht të gjitha statuset dhe revoltën në rrjetet sociale që kanë qenë të justifikueshme plotësisht, ndodh që pikërisht atë ditë thirret një protestë homazh përpara Ministrisë së Brendshme dhe unë jo në punë, por si qytetare, vendos të shkoj atje dhe çfarë shoh? Shoh vetëm kolegët e mi që prisnin të raportonin, qytetarë jo.

Më pas mund të jenë mbledhur rreth 10 persona me të cilët ne kryem dhe ritualin. Çfarë dua të them me këtë? Që sigurisht aspekti ligjor është shumë i fortë, por nuk dua të futem në pjesë teknike për ta gjykuar këtë si situatë, por atëherë kur reagimi i qytetarëve duhet të jetë i fortë në mënyrë që institucionet të marrin nisma konkrete, të veprojnë në mënyrë konkrete që presioni qytetar të jetë i fortë, atëherë presioni qytetar mungon. Nuk mund të jetë kjo protestë homazh vetëm në rrjetet sociale, një peticion mund të jetë një presion.

Rudina Magjistari: Në fakt, dhimbja dhe revolta që shkaktoi është shumë e fortë, nuk e vë në dyshim askund sepse dhe ishte shumë tragjike ngjarja.

Rashel Shehu: E justifikojmë të gjithë ne, por ama detyra qytetare shkon në projektimin tënd brenda asaj makine dhe nëse nesër mendon që mund të jesh ti, atëherë duhet të kërkosh sigurinë tënde maksimale dhe siguria maksimale nuk kërkohet përmes një statusi në Facebook./tvklan.al