“Treguesit për këtë vit janë pozitivë”

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një mbledhje me drejtuesit e sektorit të Policisë Rrugore në Shqipëri, në kuadër të zbatimit të masave për rritjen e sigurisë në rrugë. Në fillim të takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, prezantoi të dhënat 9-mujore ku bien në sy ulja e numrit të përgjithshëm të aksidenteve, numrit të viktimave, të plagosurve rëndë etj.

Brenda pak javësh, në Kuvend pritet të shkojë paketa me ndryshime në Kodin Rrugor, e cila parashikon ashpërsimin e masave për një sërë shkeljesh. Ministri Lleshaj, gjatë fjalës së tij, u kërkoi drejtuesve qendrorë dhe vendorë të Policisë Rrugore, të fokusohen në punën e tyre në disa drejtime të rëndësishme, nën moton “Vizion zero”, që synon zero viktima deri në vitin 2050.

“Në fillim të këtij viti kemi deklaruar që viti 2020 është një vit i rëndësishëm, i cili është quajtur edhe Viti i Sigurisë Rrugore, me objektivin e intensifikimit të përpjekjes për të ulur në mënyrë të ndjeshme numrin e aksidenteve dhe të pasojave të tyre. Për fat të mirë, duhet thënë që treguesit për këtë vit janë pozitivë për një sërë arsyesh, ku sigurisht puna e mirë e Policisë është njëra nga arsyet. Ne kemi ende një koeficient të lartë humbjeje të jetës njerëzore në raport me vendet e BE. Sigurisht BE është zona më e sigurt në botë sa i përket sigurisë rrugore, se ka standardet më të larta në këtë fushë. Por në raport me BE në këtë fushë ne jemi prapa dhe këtu duhet ta masim veten.

Çështje tjetër e rëndësishme – dhe ky është KPI3 në Strategjinë Europiane – është ai që ka të bëjë me masat mbrojtëse për çiklistët dhe motoçiklistët. Mungesa e mjeteve mbrojtëse për çiklistët dhe motoçiklistët është burim i madh fataliteteve dhe i aksidenteve të tjera. Tani nuk dua t’ju them se si është kjo gjendje në Shqipëri, e dini më mirë se unë, sepse i shihni përditë sesi udhëtohet në Shqipëri, në biçikletë apo në motoçikletë.

Gjendja në këtë fushë është e rëndë. Një pjesë e madhe as nuk e kanë gjëkund të shkruar në koshiencën e tyre që, kur blejnë biçikletën, duhet të blesh edhe pajisjet mbrojtëse, që duhen për të hipur në të. Ata tashmë do të përdorin rrugët e dedikuara dhe jo atje ku është rruga e dedikuar të dalin në krah tjetër. Sepse është ngushtuar hapësira në përdorim të automjeteve tashmë dhe është dhënë hapësirë për çiklistët. Por tashmë çiklistët nuk mund të futen në zonën e ngushtuar të automjeteve, sepse e rëndojnë trafikun dhe rrisin mundësitë e aksidenteve.

Indikatori i katërt i performancës sipas BE, është përdorimi i alkoolit, përqindja e shoferëve që përdorin alkool. Mbetet ende i lartë, edhe shifrat tuaja tregojnë që me gjithë masat, me gjithë ndëshkimet, mbetet i lartë ky tregues. Ky tregues duhet ulur dhe duhet ulur në mënyrë të përqendruar duke e orientuar punën tonë aty ku risku është më i lartë.  Kur është risku më i lartë për alkool?! Nuk është në orën 8 të mëngjesit, nuk është as në orën 9, as në orën 12, por janë orët e pasdrekes. Ku janë vendet kryesore ku mblidhen ata që mëkatojnë në fushën e alkoolit? Lokalet e natës, restorantet e të tjera me radhë. Dhe duhet që puna të orientohet këtu”, tha Lleshaj./tvklan.al