Banorët e fshatit Hot kërkojnë ndriçimin e rrugës

Një protestë pazakontë është zhvilluar në aksin Shkodër-Postribë ditën e diel. Të rinjtë e fshatit Hot bllokuan rrugën, për shkak të aksidenteve të shumta që kanë ndodhur në këtë zonë.

Banorët kërkojnë ndriçimin rrugor në këtë aks, i cili është rikonstruktuar vetëm 5 vite më parë. Ata thonë se mungesa e ndriçimit dhe shpejtësia tej normave të lejuara ka bërë që në mënyrë të vazhdueshme aty të ketë aksidente me pasoja fatale.

“Ne duam dritat anësore të rrugës. Kaq kërkojmë. Kur është bërë rruga vetëm një muaj kanë ndenjur dritat”.

Të rinjtë kërkojnë vëmendjen e Policisë Rrugore, autoriteteve lokale dhe qendrore në zgjidhjen e kësaj problematike, pasi në të kundërt do të bllokojnë rrugën me afat të papërcaktuar. Rruga pranë Fshatit Hot i Ri në Shkodër është shpesh burim i aksidenteve, ku brenda pak muajve kanë ndodhur dy aksidente me vdekje.

Tv Klan