Mjeti po lëvizte me 80 km në orë

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke lënë në burg dy shoferët që shkaktuan aksidentin me 2 viktima në rrugën e Porcelanit në kryeqytet, mesditën e dy janarit.

“Arrest në burg me afat 30 ditor” ka qenë vendimi i togave të zeza për 35-vjeçarin Edmond Murati  dhe “arrest në burg pa afat” për shoferin e automjetit tjetër, 31-vjeçarin Etjon Lazri.

Por ky vendim i dhënë nga Gjykata gjatë është kundërshtuar nga avokati i shoferit Edmond Murati, për të cilin edhe prokuroria kërkoi që deri në mbërritjen e akt ekspertimit të plotë, togat e zeza ta lënë në burg me afat.

 “E vërteta është se klienti që unë përfaqësoj ka qenë në drejtim të rregullt të mjetit. Pasi ka hapur sinjalin për t’u kthyer majtas, është përplasur nga mjeti tjetër. Nuk jemi dakord me vendimin e gjykatës, pasi nuk janë kriteret e ligjit për të caktuar një masë të tillë, me afat 30 ditor në burg, deri sa të dalë akt-ekspertimi.”

Sipas hetuesve, Etjon Lazri i cili drejtonte mjetin Volsvagen ngjyre gri, udhëtonte me shpejtësi rreth 80 kilometra në orë si dhe ka kryer parakalim të gabuar duke u përplasur me makinën tjetër që drejtohej nga Edmond Murati, i cili po hynte në kthesë.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shkak për aksidentin ku humbën jetën 36- vjeçari Erion Balla dhe 72– vjeçarja Hidajete Saliu është bërë shpejtësia tej normave të lejuara dhe manovra e gabuar e drejtuesit të mjetit për t’u kthyer në një rrugë dytësore.

Nga ana tjetër për ekspertët e sigurisë rrugore, sinjalistika në rrugën që të çon drejt Porcelanit, që sapo është vijëzuar, është e paplotë dhe nuk i orienton si duhet drejtuesit e automjeteve.

Tv Klan