5 ditë nga aksidenti i tmerrshëm në rrugë Plepa – Kavajë, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur, Prokuroria urdhëroi ndalimin e dy zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Prokuroria e Kavajës ka nxjerrë urdhër – ndalimi për Dritan Fejzo, me detyrë Drejtor Juridik pranë Autoritetit Rrugor dhe Bib Gjomakaj, Drejtor Rajonal i Autoritetit Rrugor, Tiranë.

Urdhër – ndalimet janë ekzekutuar nga policia, ndërsa mësohet se për këtë skandal, hetimet vazhdojnë edhe për zyrtarë të tjerë të Autoritetit Rrugor, ndërsa po verifikohen dhe veprimet e kreut të tij, Dashamir Xhika.

Mbi Fejzon dhe Gjomakajn është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës.

Argumeti kryesor që ka përdorur Prokuroria në ngritjen e akuzës ka qënë mosekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ në Tiranë, e cila detyronte ARSH -në, për rivendosjen e trafik – ndarëses në vendin ku ndodhi aksidenti.

Sipas Prokurorisë, ky vendim është marrë në vitin 2014 dhe gjatë kësaj kohe, Autoriteti Rrugor nuk ka marrë asnjë masë për të zbatuar këtë vendim në terren. Prokuroria thotë se nga akti i ekspertimit autoteknik, vihet re se, lëvizja e automjetit të aksidentuar do të ishte në rrethana të tjera, nëse do të plotësohej hapësira e ndërprerë e guardrelave, duke bërë që forca goditëse e automjetit të amortizohej.

Për Prokurorinë e Kavajës, përgjegjës për mungesën e masave të marra janë Drejtori Juridik i ARRSH -së, Fejzo, si edhe Drejtori Rajonal i ARRSH, Tiranë, Gjomakaj.

Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se Drejtori Juridik nuk ka marrë masat për të vënë në zbatim vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ.

Ndërsa Drejtori Rajonal Tiranë nuk ka marrë masat për vendosur sinjalistikën dhe rritjen e cilësisë rrugore në vendin e ngjarjes së rëndë.

Tv Klan