Garuesi me “BMX”, Connor Fields u rrëzua gjatë gjysmëfinales duke marrë dëmtime serioze

Garuesi amerikan me “BMX”, Connor Fields pësoi hemorragji në tru pas një përplasjeje horror në gjysmëfinalet olimpike.

Sportisti 28-vjeçar fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Rios në 2016 dhe ishte favoriti për ta mbrojtur titullin, por gjatë garës ai humbi kontrollin dhe ra në asfalt, e pas tij u rrëzuan edhe dy sportistë të tjerë.

Atij iu dha ndihma e parë për disa minuta dhe më pas u nxor me barelë nga pista dhe u dërgua në spital, ku iu nënshtrua një kontrolli të hollësishëm.

Fields nuk është më në gjendje kritike por, po mbahet në monitorim.

Përveç problemeve në tru, amerikani theu edhe një brinjë dhe pati dëmtime në mushkëri.

Fields ishte kualifikuar për në finale, por gara për të nuk shkoi mirë dhe tani do të duhet që të rikuperohet.

Klan News