Mes lotësh e dhimbjes së madhe, të afërmit e familjes Gushi, 4 anëtarët e së cilës humbën jetën tragjikisht në aksidentin e pesë ditëve më parë, kërkojnë drejtësi.

Me pankarta, foto, poezi e qirinj ata u zhvendosën nga Patosi për t’u mbledhur në sheshin qendror të Fierit, së bashku me qytetarë të shumtë për të drejtuar thirrje për drejtësi dhe kujdes të shtuar të shoferëve në rrugë.

Fotot e Eduardit ,Silvanës dhe dy vajzave të vogla Anastasias dhe Evës ishin stampuar në bluzat e familjarëve. Ata bënë thirrje për ndërgjegjësim dhe përgjegjësi për aksidentin e ndodhur në autostradën Fier-Vlorë .

“Lutem shumë qeverisë të marrin masa ti çojnë atje ku e meritojnë se 4 fëmijët e mi po hanë dhe. Nëna ka pesë ditë, sot është e helmuar, është tërë jetën e helmuar. Më mbyllën derën e vajzës. Vajza ime erdhi me pushime, erdhi te prindërit si gjithë emigrantët dhe i la kockat nga një fëmijë”.

Ne jemi njerëz të thjeshtë, ne kërkojmë drejtësi, nuk kërkojmë hakmarrje, nuk kërkojmë asnjë lloj detyrimi”, u shprehën familjarët e pikëlluar.

Ditari i Anastasias u bë pjesë e tubimit. Kushërira e saj në ngashërim ka lexuar pjesë, i cili kishte mbetur në makinën e familjes Gushi pas aksidentit. 14-vjeçarja shkruante e lumtur në fletët e tij se edhe pak ditë i kishin mbetur të kthehej në Shqipëri.

Kanë mbetur edhe 15 ditë për të ikur në Shqipëri. Jam shumë e lumtur. Do të shkojmë në Shqipëri, atje do të kënaqemi, do të jem e lumtur, jam e lumtur, ti më ke thënë që do të jem e lumtur dhe do të jem shumë e lumtur. Dua të të them se e nxora mesataren këtë vit 16, por vitin tjetër të premtoj që do ta nxjerr më shumë. Të premtoj, të jap llafin”, thuhet në ditar.

Pas afro 1 ore, homazhi i qytetarëve shkon në një thirrje kumbuese ndaj shtetit shqiptar për drejtësi që tragjedi të tilla të mos ndodhin në rrugët e vendit.

Klan News