Arrestohet efektivi i policisë dhe një person tjetër

Dy persona janë vënë në pranga nga policia pas aksidentit që ndodhi mëngjesin e së martës në aksin Shkodër-Malësi e Madhe, në fshatin Omaraj ku u shënuan 2 viktima.

Si pasojë e përplasjes së 3 makinave ka humbur jetën Erglis Delaj 20 vjeç dhe Serxho Kukaj 22 vjeç.

Burime nga policia bëjnë me dije se Delaj ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa viktima tjetër ndonëse u transportua në spital nuk i mbijetoi dot plagëve të marra.

Në pamjet e rënda nga aksidentit shihen se makinat e të rinjve janë shkatërruar totalisht nga përplasja e fortë ndërsa njëra prej tyre ka përfunduar jashtë rruge. Dy viktimat udhëtonin në të njëjtën makinë.

Pas marrjes së të gjitha dëshmive, pamjeve filmike dhe provave Policia e Shtetit ka arrestuar 2 persona  që drejtonin 2 automjetet e tjera të përfshira në aksident. 

Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa vuri në pranga një 51-vjeçar i cili është punonjës policie në komisariatin e Malësissë së Madhe si dhe një 19-vjeçar.

Tv Klan