Policia: Shkak, manovra e gabuar dhe shpejtësia

Shpejtësia tej normave të lejuara dhe një manovër e gabuar për t’u kthyer në një rrugë dytësore janë shkaku i aksidentit tragjik të së enjtes që u mori jetën 2 kalimtareve të rastit në rrugën e Porcelanit, në Tiranë.

Dy drejtuesit e automjeteve Edmond Murati, 36 vjeç dhe Etjon Lazri, 31 vjeç, që të dy banues në Tiranë dhe menaxherë në dy kompani të ndryshme, u arrestuan.

Policia thotë se pamjet filmike të disa kamerave të sigurisë dhe ekspertiza e kryer në vendin e ngjarjes provojnë se ata kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Kjo video e siguruar nga Tv Klan tregon momentin e përplasjes.

Mjeti tip Golf me drejtues Edmond Muratin, kthehet majtas, duke kaluar nga korsia e parë në korsinë e dytë, në të cilën vjen me shpejtësi në të njëjtin drejtim makina Beetle, e drejtuar nga Etjon Lazri.

Me manovrën për të hyrë në rrugën dytësore që të çon nga Kinostudio në Kodrën e Priftit, Murati i pret rrugën makinës së Lazrit.

Goditja është aq e madhe saqë makina e Etjon Lazrit përfundon në trotuar, ku ndodhen dy kalimtarë. Goditja i shkaktoi vdekjen e menjëhershme Erion Ballës, 36 vjeç dhe 72 –vjeçares Hidajete Saliu.

Dy drejtuesit që shkaktuan aksidentin u morën në pyetje në polici dhe deklaruan se nuk e kishin kuptuar si erdhi përplasja, pasi gjithçka ndodhi shumë shpejt.

Elton Lazri mësohet të këtë thënë se ai ka frenuar në momentet e fundit, por pa e shmangur dot përplasjen.

Nga testi i bërë rezultoi se drejtuesit nuk kishin konsumuar alkool, por ata akuzohen për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Tv Klan