“Shoferi i betonierës i cili u arrestua pas aksidentit tragjik në Fushë Prezë ku humbën jetën katër të rinj do të qëndrojë në qeli. Ndaj tij gjykata e Tiranës komunikoi masën e sigurisë arrest në burg.
Aleksandër Krrashi doli para togave të zeza së bashku me kushëririn e tij Valentin Krrashi dhe menaxherin e firmës së prodhimit të betonit Danjel Koxha. Gjatë seancës gjyqësore, që zgjati rreth 40 minuta, 24-vjeçari dhe shpjegime për akuzën e largimit nga vendi i ngjarjes, por dhe drejtimin e mjetit pa patentë.
“U kërkoj ndjesë dhe i shpreh ngushëllime familjarëve. Sa dola në rrugë për të shkuar të merrja naftë në karburant, dëgjova një përplasje të fortë. U përpoqa në maksimum t’i ndihmoj, dera e makinës nuk hapej, lajmërova dhe një koleg të një betoniere tjetër të vinte për të më ndihmuar me shuarjen e zjarrit, por ishte i fuqishëm dhe nuk ia arritëm. Unë nuk kam patentë për drejtimin e betonieres, por kam patentë të kategorisë tjetër”.
Por kjo dëshmi nuk e ka bindur gjyqtarin Edvan Veçani, i cili pranoi kërkesën e prokurorisë për ti caktuar burg pa afat. Të njëjtën masë gjyqtari i caktoi edhe kushëririt të 24-vjeçarit, Valentin Krrashit, i cili akuzohet se e ndihmoi për tu larguar nga vendi i aksidentit. Masë më e lehtë ajo e detyrimit për tu paraqitur, u dha për Danjel Koxhen, menaxherin e firmës së prodhimit të betonit, i cili akuzohet se ka punësuar të riun pa patentën përkatëse për drejtimin e betonieres.
Policia dhe prokuroria janë në pritje të ekspertizës për të parë nëse shoferi i mjetit Mercedez ku udhëtonin katër të rinjtë kishte konsumuar pije alkoolike apo lëndë narkotike. Gjithashtu një ekspertizë tjetër që pritet të merret në dispozicion është dhe përcaktimi i gjendjes teknike të mjetit betoniere nëse është fikur papritmas apo thjesht nuk janë respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.
Klan News