Këto janë pamjet e aksidentit tragjik të ndodhur sot në orën 15:15 në rrugën “Xhanfize Keko” në zonën e Porcelanit në Tiranë. Dy këmbësorë humbën jetën pasi u përplasën nga një makinë.

Sikurse duket në këtë video të kamerave të sigurisë të siguruar nga tvklan.al, automjeti ngjyrë gri tip “Volkswagen Beetle” me targa AA 544 SX po qarkullonte me shpejtësi të lartë në krahun e kundërt të rrugës kur përplasi makinën tjetër “Volkswagen” me targa AA 758 YZ, që po kthehej në anën e majtë.

Nga përplasja e fortë mes tyre, mjeti ngjyrë gri që drejtohej nga Etjon Lazri përfundoi në trotuar duke përplasur dy këmbësorë, një burrë dhe një grua.

Ata humbën jetën në vendngjarje. Viktimat janë Erion Balla 36 vjeç nga Rrësheni dhe Hidajete Salliu 72 vjeç banuese në Tiranë. Dy këmbësorët po qëndronin në trotuar pranë vijave të bardha kur u përplasën fatalist nga makina me targa AA 544 SX që për rreth 100 metra ka udhëtuar në kundravajtje në tentativë parakalimi dhe me shpejtësi të lartë.

Etjon Lazri, shoferi i automjetit që shkaktoi aksidentin, u dërgua fillimisht në spital ku mori trajtim mjekësor dhe më pas u shoqërua në polici për t’u pyetur lidhur me rrethanat e ngjarjes.

Edhe shoferi i makinës së dytë, Edmond Murati u shoqërua për t’u pyetur nga blutë e kryeqytetit. Aksidenti i rëndë ndodhi pranë qendrës së Tiranës në ditën e dytë të vitit 2020. /tvklan.al