Policia e Fierit ka ndaluar 21-vjeçarin Sabri Xherimeja që ishte pasagjer në makinën që doli nga rruga në By-Passin e Fierit dhe për pasojë humbi jetën 19-vjeçarja Xhesika Mjekra.

Policia thotë se 21-vjeçari që mbeti i plagosur është ndaluar në funksion të veprimeve hetimore që po bëhen për të zbardhur tërësisht ngjarjen.

Burime për tvklan.al thonë se makina me të cilën udhëtonin dy të rinjtë është marrë me qira nga 21-vjeçari Sabri Xherimeja.

Fillimisht në drejtim të mjetit ka qenë i riu, por më pas makina ka ndaluar në një karburant dhe aty janë ndërruar; 19-vjeçarja Xhesika Mjekra ka marrë drejtimin e makinës kurse 21-vjeçari ka kaluar në sediljen e pasagjerit. Këtë fakt policia e ka të provuar përmes pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë së një karburanti, thonë të njëjtat burime për tvklan.al.

Ndaj Sabri Xherimeja nuk ka zyrtarisht asnjë akuzë të ngritur, por mbahet i ndaluar deri në sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës rreth orës 22:35, kur mjeti tip Benz doli nga rruga. Për fat të keq humbi jetën drejtuesja 19-vjeçare ndërsa pasagjeri 21-vjeçar mbeti i plagosur. /tvklan.al