Gjykata la në qeli 38-vjeçaren Rozina Koleci, e cila tri ditë më parë u bë protagoniste e aksidentit tragjik me dy viktima, mes të cilëve edhe një vajzë 7-vjeçare, në zonën e Kodër Kamzës.

Gjykata Penale e Tiranës ka lënë nën masën e sigurisë arrest me burg 38-vjeçaren Rozina Koleci, autorja e dyshuar e aksidentit tragjik me dy viktima të ndodhur paraditen e 8 gushtit në zonën e Kodër Kamzës në kryeqytet. Këtë masë sigurie kishte kërkuar edhe prokurorja e Tiranës, e cila po vijon hetimet për këtë ngjarje.

Në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë të zhvilluar paraditen e së shtunës 38-vjeçarja Koleci nuk ka folur para trupit gjykues, ndërsa avokati i saj ka sqaruar rrethanat e pretenduara nga e mbrojtura prej tij. Sipas avokatit të Rozina Kolecit, kjo e fundit ka humbur drejtimin e automjetit me të cilin po lëvizte, kur i ka dalë befasisht përballë i riu me biçikletë që mbeti viktimë e këtij aksidenti, 29-vjeçari Ramazan Isha. Avokati ka sqaruar se në përpjekje për të shmangur përplasjen me biçiklistin gruaja ka përplasur fatalisht dhe nënën me dy vajzat, njëra prej të cilave, 7 vjeçe, tragjikisht humbi jetën.

Ndryshe dyshon prokuroria se ka qenë dinamika e ngjarjes. Organi i Akuzës mësohet se do të sekuestrojë videot e kamerave të bizneseve në zonën e aksidentit për të provuar dyshimin se 38-vjeçarja Rozina Koleci, në vend që të frenonte në momentin e aksidentit padashje i ka dhënë gaz. Prokuroria ka gjithashtu dyshimin se autorja e aksidentit tragjik ka qenë duke komunikuar me celular në momentin që tragjikisht ka humbur kontrollin e makinës. /abcnews.al