Drejtuesi i mjetit i nënshtrohet analizave toksikologjike

Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti në Kodër Kashar, ku humbën jetën 3 persona, me lidhje familjare mes tyre. Drejtuesi i automjetit Zija Murati që mbeti i plagosur nga përplasja, i është nënshtruar testit të alkolit, por rezultoi që nuk ishte i dehur në momentin që po drejtonte makinën.

Burime për Klan News thonë se nga ana e grupit hetimor është kërkuar që 29 vjeçarit t’i kryehen  analiza toksikologjike për të provuar nëse ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Gjithashtu gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes hetuesit nuk kanë konstatuar shenja frenimi.

Ekspertët kanë dyshime se makina tip Opel Meriva,  mund të ketë pësuar defekt dhe drejtuesi i aumtomjetit mund të ketë humbur kontrollin. Edhe prokuroria është në pritje të raportit nga ekspertët rrugorë të cilët do të përcaktojnë shkakun e aksidentit të rëndë.

Dyshimet e para janë se shkak i përplasjes ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara. Të dielën Zija Murati do të përballet me gjykatën për caktimin e masës së sigurisë.

Aktualisht Murati ndodhet në Spitalin e Traumës dhe vendimi i gjykatës do ti komunikohet aty. Në gjshtë ditët e para të muajit Mars, 9 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore.

Ndërsa në muajt Janar-Shkurt aksidentet automobilistike i kanë marrë jetën 38 qytetarëve nga 248 aksidente në të gjithë vendin. Ndërsa janë plagosur 286 persona.

Klan News