Aksidenti-Kopeshti-botanik

Dy administratorë dhe dy drejtues teknikë të firmave private që kryejnë punimet për ndërtimin e unazës së madhe së kryeqytetit, në zonën e Komunës së Parisit, janë arrestuar nga policia, në lidhje me aksidentin e familjes së ish – Zëvendësministrit të Brendshëm, Avenir Peka, në të cilin humbi jetën djali i tij 11 vjeçar.

Bëhet fjalë për:

  1. Ylber Koçin, 56 vjeç, me detyrë specialist teknik i zbatimi të Kompanisë TRISS.
  2. Ismajl Ahmetin, 62 vjeç, me detyrë administrator i shoqërisë zbatuese të projektit të kompanisë TRISS,
  3. Shpëtim Emirin, 64 vjeç, me detyrë drejtues teknik i punimeve të kompanisë TRISS.
  4. Gëzim Bimblin, 54 vjeç, me detyrë administrator dhe drejtues teknik firma “ALBEGIS & CO” SHPK.

Ata akuzohen për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, vepër  penale e kryer në bashkëpunim. Policia thotë se nga veprimet e para hetimore, ka rezultuar se në vendngjarje nuk ka pasur sinjalistikë, ndërkohë që rruga ishte ende e papërfunduar.

Punimet në këtë segment rrugor, janë kryer nga kompania TRISS, e cila nuk ka realizuar në zbatim të kushteve të përcaktuara në kontratë nga Autoriteti Rrugoir Shqiptar për shoqërinë zbatuese të projektit.

Për aksidentin tragjik të së hënës në pranga ka rënë edhe 28 – vjeçarja Uarda Çota, makina e së cilës goditi automjetin ku udhëtonte familja e ish – Zv/ministrit të Brendshëm dhe drejtohej nga bashkëshortja e tij. Si pasojë e përplasjes të dyja mjetet përfunduan në gropën që është hapur për ndërtimin e trasesë së rrugës. Burime të policisë thanë se 28 – vjeçarja ishte në gjendje të dehur dhe po udhëtonte me shpejtësi mbi normat e lejuara.

Ajo është në pritje që të njihet me masen e sigurisë. Prokuroria e Tiranës, në hetimet për këtë çështje ka përfshirë edhe Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Tv Klan