Në makinë ishin 3 shokë, njëri prej tyre jep dëshmi kontradiktore

Automjeti luksoz që u aksidentua në liqenin artificial në Tiranë, po drejtohej nga një i ri, i identifikuar si Emijano Nina dhe jo pronari i makinës, Eldi Allushi. 28-vjeçari Nina i njohur dhe me mbiemrin Tasho është kushëri i parë me Ervis Martinajn.

Bashkë me Emiljano Ninën dhe Eldi Allushin, në mjet ndodhej edhe 25-vjeçari Jurgen Allushi, i cili u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes bashkë me drejtuesin, ndërsa Eldi Allushi iku disa minuta më vonë. Ky i fundit ka përkrahur drejtuesin e mjetit dhe ka penguar në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, duke dhënë dëshmi të rreme.

Ai para oficerëve të policisë deklaroi se ishte ai shofer dhe i kishte ngelur pedalja e gazit shkelur dhe nuk kishte mundur të ndalonte automjetin. I riu u arrestua nga policia në rrugën e Arbrit, ndërsa pasagjeri tjetër, Jurgen Allushi, u procedua në gjendje të lirë për moskallëzim krimi.

Eldi Allushi pas arrestimit ka dalë i pastër në kontrollet e drogës dhe të alkoolit, por policia është edhe në pritje të analizave të gjakut, pasi dyshohet se të rinjtë ishin nën efektin e lëndëve narkotike. Para se të ndalohej nga policia, në mjet u gjet edhe patenta e tij.

Emiljano Nina i arrestuar disa herë më parë nga policia, është shpallur në kërkim.

Ai akuzohet për 7 vepra penale, që lidhen kryesisht me aksidentin. Por gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet dhe një shkop bejsbolli, për të cilin akuzohet si posedues.

AKUZAT NDAJ EMILIJANO NINA

Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor

Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt

Largimi nga vendi i aksidentit

Shkatërrimi i pronës dhe moskallëzimi i krimit

Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës

Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta

Klan News