Shoferja 19-vjeçare: Jeta ime është mbyllur aty ku u përfundua e jotja

Këto janë pamjet e një aksidenti të rëndë, të ndodhur të shtunën në Kamëz, që i mori jetën një vajze vetëm 22-vjeçe. Në videon më lart, shihet momenti kur makina Smart, në timonin e së cilës ndodhej 19-vjeçarja Deni Doku, i del para një makine Benz që vinte në kahun e kundërt të rrugës.

Përplasja është tepër e fortë. Makina e vogël në të cilën udhëtonte Doku së bashku me 22-vjeçaren Alida S. bën një rrotullim thuajse 360 gradë, duke u përplasur edhe me një automjet që po vinte nga pas.

Dy vajzat mbetën fillimisht të plagosura, në gjendje më të rëndë e reja 22-vjeçare, e cila fatkeqësisht këtë të diel humbi jetën në spital.

Një ditë më parë, në njoftimin e saj për mediat, policia e Tiranës sqaronte: “D.D., 19 vjeçe, për veprën penale “Shkelja e rregullave të Qarkullimit Rrugor, pasi në kryqëzimin e rrugës “Demokracia” me rrugën “Kongresi i Dibrës”, duke drejtuar mjetin me pasagjere A.S, 22 vjeçe, është përfshirë në një përplasje me 2 mjete të tjera dhe për pasojë janë dëmtuar, ku shtetasja D.D., ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, kurse A.S., ndodhet nën kujdesin e mjekëve”.

Tronditjen për ngjarjen e rëndë, shoferja 19-vjeçare Deni Doku e ka ndarë edhe në një postim në rrjetet sociale.

“Nuk e di nga t’ia nis dhe si të flas për këtë person kaq të rëndësishëm për mua. Motra ime. Nuk e pranoj dot humbjen tënde. Më duket sikur po më pret në shtëpi, ashtu siç më prisje ti gjithmonë! Alida Ti je pranë meje. Ti do jesh gjithmonë pjesë e shpirtit tim, pjesë e zemrës time, e trupit tim. Je e pandashme, je pranë meje. Gjithmonë do të mbetesh e tillë Alida ime, asgjë s’mund të na ndajë, as ajo natë e zezë, as fati tmerrues, as ajo skëterrë që më tronditi fort. Asgjë. Je këtu më mua. U prefsh në paqe shpirt i bardhë. Jeta ime është e jotja dhe është mbyllur aty ku u përfundua e jotja. Lujla më e bukur e parajsës, Të dua❤”,shkruajti 19-vjeçarja./tvklan.al