Mund të quhet padyshim një ngjarje tragjike, ajo që ndodhi pasditen e kësaj të diele në Fier.

Dy persona gjetën vdekjen, gjatë kohës që kishin ndaluar për t’i dhënë ndihmë një personi të aksidentuar. Të plagosur mbetën 5 persona të tjerë.

Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 18:00, në aksin rrugor Levan-Tepelenë. Viktimat janë dy. Durim Lamaj, 55-vjeç, banues në Vjosë të Fierit, si dhe Fetah Shahaj, një 64-vjeçar që banonte në Tiranë.

Si ndodhi ngjarja: Sipas policisë, fillimisht një automjet përplasi një këmbësor. Në vendngjarje u grumbulluan disa banorë të zonës dhe pasagjerë të një mjeti tjetër, që kishte parkuar aty, për të dhënë ndihmën e parë personit të aksidentuar. Por pikërisht në këtë moment, ata janë përplasur nga një mjet tjetër “Opel”, i cili ka hyrë në parakalim.

Përplasja ishte fatale për dy burrat. Ndërkohë, të plagosurit u transportuan drejt spitalit të Fierit, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Autoritetet policore thonë se po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.

/tvklan.al